Akoma e kujtoj qartë gëzimin e papërshkruar, që ndjeva në klasën e parë, kur i rashë pash më pash Abetares nga bregu A në bregun Zh. A si Arjan Zh si Zhulieta. Kishim notuar me muaj të tërë, për t'u futur në botën magjiplotë të librave, me ujëvara vjershash, male romanesh e vargmale trilogjishë, humnera politke e moçale gazetareske, kopshte hyjnore përrallash e xhungla fantazish, të gjitha të thurura e të çthurura me talent, ambicje, pasion, dëshirë, sedër ose thjesht inat.
Krahas këndimit si lëndë e detyruar, tani na prisnin krahëhapur edhe libra shumë-ngjyrësh, joshës, argëtues e të mbushura me çudira e aventura të papërfytyrueshme. Nuk i harroj kurrë dy librat e parë, që i bleva dhe i zgjodha vetë. Njeri titullohej "Gjashtë majmunët" dhe tjetri"Keci që dinte të numëronte deri në dhjetë".
Sa më ranë në dorë këto libra harrova se kishte lojë kukamçefti, kala dibrançe, kali kalorësi, cingla, ngriva shkriva apo topa rrasa.
Harrova që kishte filma sovjetikë me luftë, që i çfaqte Shaban Gungsi me pesë lekë. Mendoni vetë se ç'sakrificë po bëja, kur dihet se sa shumë e donim ne luftën, ose më saktë filmat me luftë. Mund të thuhet se i donim ata filma edhe më shumë se korçarët gratë e tyre. Sa me kënaqësi luanim luftën tonë imagjinare duke thirrur gati në të ngjirrur: "Agonj(Zjarr)" ose "Stoj( Ndal)". Edhe loja Kumançe ishte një perlë e gjerdanit të agresivitetit fëmijënor.
Të gjitha këto kënaqësi e mrekullira, që do ta bënin Lizën e çudirave me turp, i braktisa për gjashtë majmunë dhe një kec llogaritar, që dinte të numëronte deri në dhjetë. Ndoshta ishte dhe merita e piktorëve, që me penelin e tyre, kishin bërë kopertina fantastike. Këto kopertina ishin porta e pallatit të rrëfenjave.
Gjashtë majmunët karagjozë më zbavitën, sepse ishin ca rrugaçë simpatikë, që nuk linin prapësi pa bërë. Me qefin e majmunëve iu futa kecit dhe.....në vend që të zbavitesha, po tmerrohesha. Fati i dhjetë kafshëve të pafajshme, të padjallëzuara dhe të pakorruptuara, varej nga aftësia llogaritëse e kecit. Këto kafshë rrezikoheshin të mbyteshin. I vetmi mjet shpëtimi ishte një barkë dhjetë vëndshe me vela. Po të hypnin më shumë se dhjetë kafshë, p.sh. dhjetë kafshë dhe një njeri, barka fundosej. Keci ishte i vetmi që dinte të numëronte, vërtet deri në dhjetë, por në krahasim me lopën, qenin, derrkucin, macen, lepurin etj. që ishin bërryla sobe, keci dukej si me universitet, në mos me universitet të paktën me lice.
Filloi numërimi i frikshëm. Një tmerr të tillë e kam ndjerë vetëm vite më vonë, teksa lexoja tregimin e Edgar Allan Poe"The pit and the pendulum-Gropa dhe lavjerrësi). Koha kalonte, keci numëronte: "Unë jam njëshi, lopa dyshi, qeni treshi, gjeli katra......... tik-tak-tik-tak-tik-tak, kumbonte sahati i emocioneve zemër-ndaluese. Keci numëronte dhe kullonte në djersë. Nga djersa rrezikonte të përmbytej barka. Nuk niseshin dot pa mbaruar numërimi. Dukej si count-down i raketës "Apollo" megjithëse ishte count-up.
- Numëro kec, numëro!- bëja tifozllëk duke u dridhur.
-Unë jam njëshi, lopa dyshi............ariu shtata.....
Nuk duroja dot. Tensioni i ankthit pritës kishte arritur me siguri 10 000 Volt-frike.
Për herë të parë në jetë mësove se jeta e shumë qënieve varej nga saktësia e numërimit dhe gjenialiteti i llogaritjes.
Keci po numëronte kafshën e dhjetë, një kafshë babaxhane e punëtore, që gjithmonë e lenë të fundit. Ishte gomari, i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime, tamam ashtu si duhet të ishte komunisti i vërtetë. Por gomari ta bënte dhëmbin sa të kalit, komunist nuk e bënte njeri, shumë shumë puntor ngarkim shkarkimi.
Keci kishte numëruar edhe gomarin, se iu duhej për të ndërtuar pyllin e ri me boronica të kuqe.
Keci kishte triumfuar mbi natyrën, duke e vënë atë përfund me gjakftohtësi dhe llogari. Aty mësova se kush nuk di të numërojë e numërojnë të tjerët.
Arti Shqiptar ~ Albanian Art
Kur arti ngjyhet ne shpirt, ai pikon vertetesi ~ When art is inked in one's soul, it drips the truth
Wednesday, May 16, 2012
Saturday, May 12, 2012
Serenata Indiane - Percy Bysshe Shelley - Shqiperoi: Artur Balli ©
Ngrihem nga ëndrrat ku je ti,
Natën, në të parin, t’ëmblin gjumë,
Kur erërat frymërojnë ngadalë
Dhe yjet ndriçojnë aq shumë.
Ngrihem nga ëndrrat ku je ti,
Dhe një shpirt më merr, nuk di se si,
Në heshtje rrugën ma heq, pa fjalë
Tek dritarja jote, Ëmbëlsi!
Tingujt fluturakë, ata zhduken n’arrati,
Mes gurgullimës së qetë mbeten
Aromat erëmira treten muzgut
Si mendimet e ëmbla, që në ëndërr treten.
Në gjoksin e bilbilit, kur ka mërzi,
Ajo shuhet e vdes në zemrën e tij.
Ashtu dhe unë, në zemrën tënde të vdes
Oh, përposh, atje, ku rri ti.
Mos më lër të shtrirë mbi bar e fletë!
Po vdes! Zalisa! Mbeta!
Dashurinë, ti lëre si shiu të bjerë
Mbi buzët, qepallat e mia të zbehta.
Faqen kam të ftohtë, të bardhë, medet!
Zemra më rreh, sa fort, sa shpejt;
Oh, shtrëngoje pas tëndes, k’të zemër dhe njëherë
Aty, së fundi, do plasë ajo vetë.
Natën, në të parin, t’ëmblin gjumë,
Kur erërat frymërojnë ngadalë
Dhe yjet ndriçojnë aq shumë.
Ngrihem nga ëndrrat ku je ti,
Dhe një shpirt më merr, nuk di se si,
Në heshtje rrugën ma heq, pa fjalë
Tek dritarja jote, Ëmbëlsi!
Tingujt fluturakë, ata zhduken n’arrati,
Mes gurgullimës së qetë mbeten
Aromat erëmira treten muzgut
Si mendimet e ëmbla, që në ëndërr treten.
Në gjoksin e bilbilit, kur ka mërzi,
Ajo shuhet e vdes në zemrën e tij.
Ashtu dhe unë, në zemrën tënde të vdes
Oh, përposh, atje, ku rri ti.
Mos më lër të shtrirë mbi bar e fletë!
Po vdes! Zalisa! Mbeta!
Dashurinë, ti lëre si shiu të bjerë
Mbi buzët, qepallat e mia të zbehta.
Faqen kam të ftohtë, të bardhë, medet!
Zemra më rreh, sa fort, sa shpejt;
Oh, shtrëngoje pas tëndes, k’të zemër dhe njëherë
Aty, së fundi, do plasë ajo vetë.
Thursday, May 10, 2012
Ne pronarët e "heronjve" - nga Arjan Bejko
Kur ishim fëmijë luanim me "heronj" si na desh qejfi. Loja me "heronj" ishte e thjeshtë dhe zbavitëse. Çdo porttret burri a gruaje, i prerë nga librat, revistat, gazetat apo kalendarët e tavolinave, ishte për ne fëmijët e shkollës fillore portreti i një heroi, qoftë ky Spartaku i skllevërve, Lenini i bolshevikëve, Cuca e Maleve, Enveri i Lëndinave, Mao Ce Duni i Lumenjve apo Skënderi i Cirkut. Pra kush e kishte bërë veten të shkelte në Bulevardin e Famës Historiko-shoqërore, ishte në sytë tanë një Hero i vërtetë, gati-gati po aq i respektueshëm sa Pinoku, Çipolino, Pupagjeli apo Din Paku.
Vlera materiale këmbyese e "heronjve" ishte relative dhe varej nga pamja e jashtme, fama në sytë e fëmijëve, mosha, gjinia dhe preferencat e veçanta.
Enver Hoxha, p.sh. vlente më shumë se Lenini, Mehmet Shehu më shumë se Stalini dhe Mustafa Matohiti më shumë se Baba Karlo( Marksi). Në fakt figurat e antarëve të byrosë kishin inflacion, sepse ato i gjeje kudo. Si në çdo tregti, figurat e ralla vlerësoheshin akoma më tepër, se ato që ishin bërë bozë. P.sh. një portret i gjeneralit rus Mihail Kutuzov, të cilin unë e kisha prerë fshehurazi me gërshërë thonjsh nga libri i historisë së gjimnazit, të një kushëriri, ishte gjë e rrallë dhe një moshatari im kishte ofruar një pako çamçakëz durrësi, në këmbim të trimit Kutuzov. Përpjekja e tij dështoi, se unë nuk e haja atë kokërr ulliri, të shisja gjeneralin rus, për një pako çamçakëz vëndi. Një nga perlat e thesarit tim të heronjve ishte edhe portreti i filozofit Jean Jacques Rousseau( Zhan Zhak Ruso) me një kokore leshi mbi kokë, dalë në kohën kur ai jetonte në Austri i maskuar si refugjat ermen( nga Armenia). Edhe këtë portret ekstravagant e kisha sajuar nga të njejtat gërshërë. Një fëmijë më kish ofruar plot 50 qindarka dhe një palë llastiqe me kërrabë thane, për ta ndërruar me Zhan Zhakun. Më kot, se heronjtë e rallë nuk i lëshoja gjallë. Një nga perlat e koleksionit tim ishte edhe një figurë e Spartakut të plagosur mbi kalë( Fotografi e një afresku mural të qytetit të shembur Pompei). Edhe busti i Pirros së Mollosëve( i njohur si Pirro i Epirit) ishte një pasuri e mini-muzeut tim personal. Jeronim De Radën, Bajram Currin, Çerçiz Topullin, Selam Musain apo Fan Nolin i falja pa shpërblim, se më dukeshin kot. Syrin ja kisha vënë një portreti të Lym Ketës, ku ai kish dalë me uniformën e kolonelit, me spaleta e dekorata. Komshiu që e kishte e kishte prerë nga revista e sigurimit" Në shërbim të popullit". Familja e tij nuk para blente revista, por atë babai i tij e kishte blerë me kënaqësi, se aty kishte një artikull për arrestimin e dy komshinjve tanë, që kishin tentuar të thyenin natën një dyqan veshmbathjesh. Ata kishin qenë tapë në çastin e arrestimit. Babai i djalit që zotëronte Lym Ketën, nuk i shihte dot me sy dy komshinjtë e arrestuar, përandaj e kish blerë me kënaqësi të paparë revistën e sigurimit, ku flitej për dy pianecët dyqangrabitës, të cilët ishin dënuar mbi 10 vjet, sepse kishin tentuar të rrihnin policin trim, që i kish kapur mat.
Gëzimi i lig i babait të tij e kishte bërë shokun tim pronar të Lym Ketës, atentatorit trim, guerilasit legjendar, që vriste vet i tretë a vetë i shtatë, kë t'i thosh partia.
Unë isha gati të paguaja deri 10 lekë për Lymin, por nuk shprehesha, se e dija që kjo do ja rriste vlerën monetare Lymit. Mirë që atë kohë gjimnazi i kombinatit nuk quhej akoma gjimnazi"Myslym Keta"se atëhere do të kishte shkuar vlera e Lymit sa një pullë trekëndëshe Trinidad Tobago, të cilën një shoku im e kish blerë 30 Lekë, pra 300 qindarka. Për fat ishim akoma larg asaj kohe, kur Lymi do të bëhej Padrino emërdhënës i të vetmit gjimnaz të lagjes së Kombinatit, duke u ngjitur më lart se Fan Noli e Naum Frashëri, që ishin vetëm shkolla 8 vjeçare. Lymi ishte ngritur në një rrang me Ismail Qemalin apo Sami Frashërin, që emrin e kishin në gjimnaze. Sikur ta dija që atë kohë, që Lymi do të ishte i shpisë në Kombinat!
- Sa me shet Lymin?- e pyeta pronarin e ligjshëm të heroit.
- Nuk e shes!- tha ai prerë.
Unë i humba shpresat dhe nxorra instinktivisht nga xhepi një 10 leksh jeshil, që e kisha taksur për Lymin, po me sa dukej do të përfundonte për akullore te gega.
Kur pa dhjetshen time, pronari i Lymit u trondit disi. Dhjetë lekë ishin pasuri, për fëmijët e shkollës fillore. Ai dhurohej ose ditë rrogash ose nga teze, dajo, halla e xhaja, që vinin nga larg si vizitorë.
Për fatin tim atypari kaloi gega me akullore dhe bërtiti:
Akullure, me kakao!- Kjo thirrje e goditi pronarin e Lymit si shigjetë, mbi gjuhën e tharë nga vapa. Edhe mua po më shkonte goja lëng, por duroja, sepse kisha një ideal dhe doja ta blija Lymin.
Komshiu im u dorëzua. Kokulur ai ma dorëzoi Lymin me spaleta dhe unë shpejt e shpejt i rrasa dhjetshen shuk në dorë se kisha frikë mos i ndërrohej mendja.
Teksa ai lëpinte akulloren unë ja mbatha ta mbyllja Lymin në kutinë e këpucëve ku ruaja thesarin tim të "heronjve".
ALL RIGHTS RESERVED
Tuesday, May 8, 2012
Supa e Perjetshme - Poezi dhe Skice nga Arben Ferhati ©
Te heshtur mbajne rradhen me pjate ne dore.
As te gjalle dhe as te vdekur....por te uritur.
Dhe zemermadhi perzien supen e perjetshme,
ne kazanin e madh........te corbes se madhe.
Eshte supe me germa....supe mendjendricuese.
Jo si supa e vjeter kur germa e vetme (O) ...
shpesh me numrin zero ngatrrohej......
Kjo supe eshte e shijshme...Ka zanore dhe bashketingellore.
Eshte corba e fjaleve dhe e kismetit.
Sot te ngop barkun e madh te trurit te vogel.
...edhe neser ..edhe pasneser...eshte supe e perjetshme
Ne heshtje merr pjaten me supen e kismetit...
lexon germat dhe mendon...pastaj shikon
pjaten e tjetrit...paska disa germa me teper,mendon.
C`fat......C`fjale ishte valle?...C`fat.
Dhe gelltit me uri germat , pastaj lepin lyren e pjates,
ne skutat e errta te labirinthit monoton te shpreses.....
As i gjalle dhe as i vdekur...por me shprese...
Per te pare.....Pa e ditur qe eshte qorr.
Sunday, May 6, 2012
Peshku i Vogel - Shkruar nga Primo Shllaku ©
Ate dite lumi po shterrte.
Mbeti pa grope
peshku
dhe perhere e ma i vogel
bahej rrethi
i rruges se tij
Mbeti pa grope
peshku
dhe perhere e ma i vogel
bahej rrethi
i rruges se tij
Nje diell i nalte
ia merrte ujin gropes,
nje toke e rreshkun
ia thithte ujin gropes.
Peshku
rrotullohej perhere e ne rrathe ma te vegjel,
ma ta vegjel.
Shpina e tij e murrme
u duk si gunge mbi uje.
barku i tij ndeshi ne zall.
Nje diell i nxehte ia thithte ujin,
nje zall i rreshkun ia vidhte ujin
peshkut.
Ky peshk i vogel
s'mund te rrinte ma vec ne bark.
Syni i tij shihte ne ajer,
tjetri vec koken e turbullt.Mbas pak ai mbeti,
hasi ne toke
dhe miza celiku iu ndalen mbi sy.
Ai u hodh.
Diku nder make
stuhia kish shperthye
me shi e me rrebesh.
Ujenat e qiellit,
te bame ujenat e tokes,
po vinin neper zall
ne drejtim te peshkut te vogel
qe luftonte me mizat prej celiku.Lekura po i thahej peshkut
me nje blu te panjohun.
Uji po vinte
me ballin e vet te shkumezuem,
po vinte drejt peshkur.
Ai perhere e ma rralle perpelitej.
perhere e ma fort ...
Dicka si jeta a vdekja
e shqetesonte peshkun e vogel.
Uji po mberrinte
tue e lage zallin me shkumen e vet kakao.
E ndieu peshku rropamen e ujit
qe po vinte afer,
e ndjeu ...
Ah, po te arrije, po te arrije ...
U ngrit peshku nalt me furi,
mizat u shperndane,
trupi ju njom.
Furia e vales
e shtyu ne nje amull.
U peshtet per breg
dhe, me gojen e hapun,
merrte nje fryme me zor.
Erdhi uji, erdhi uji,
i dha vetes peshku,
por trupi s'iu bind ma.
brenda tij sendet po ndaheshin.I dha prape vetes qe te ndreqej.
Dicka si truni a zemra a muskujt
nuk i punonin ma peshkut.
Erdhi vone ky uji erdhi vone.
Te vinte atehere kur u duken te parat miza.
Atehere te kishte ardhe ...
Mizat prej celiku u duken prape.Kesaj here peshku ishte i tyne ...
ia merrte ujin gropes,
nje toke e rreshkun
ia thithte ujin gropes.
Peshku
rrotullohej perhere e ne rrathe ma te vegjel,
ma ta vegjel.
Shpina e tij e murrme
u duk si gunge mbi uje.
barku i tij ndeshi ne zall.
Nje diell i nxehte ia thithte ujin,
nje zall i rreshkun ia vidhte ujin
peshkut.
Ky peshk i vogel
s'mund te rrinte ma vec ne bark.
Syni i tij shihte ne ajer,
tjetri vec koken e turbullt.Mbas pak ai mbeti,
hasi ne toke
dhe miza celiku iu ndalen mbi sy.
Ai u hodh.
Diku nder make
stuhia kish shperthye
me shi e me rrebesh.
Ujenat e qiellit,
te bame ujenat e tokes,
po vinin neper zall
ne drejtim te peshkut te vogel
qe luftonte me mizat prej celiku.Lekura po i thahej peshkut
me nje blu te panjohun.
Uji po vinte
me ballin e vet te shkumezuem,
po vinte drejt peshkur.
Ai perhere e ma rralle perpelitej.
perhere e ma fort ...
Dicka si jeta a vdekja
e shqetesonte peshkun e vogel.
Uji po mberrinte
tue e lage zallin me shkumen e vet kakao.
E ndieu peshku rropamen e ujit
qe po vinte afer,
e ndjeu ...
Ah, po te arrije, po te arrije ...
U ngrit peshku nalt me furi,
mizat u shperndane,
trupi ju njom.
Furia e vales
e shtyu ne nje amull.
U peshtet per breg
dhe, me gojen e hapun,
merrte nje fryme me zor.
Erdhi uji, erdhi uji,
i dha vetes peshku,
por trupi s'iu bind ma.
brenda tij sendet po ndaheshin.I dha prape vetes qe te ndreqej.
Dicka si truni a zemra a muskujt
nuk i punonin ma peshkut.
Erdhi vone ky uji erdhi vone.
Te vinte atehere kur u duken te parat miza.
Atehere te kishte ardhe ...
Mizat prej celiku u duken prape.Kesaj here peshku ishte i tyne ...
Friday, April 27, 2012
Ti s'munde - ARDIAN KLOSIT
Ti s’munde të vdesësh, mik i ndershëm!
...
Dole nga kjo shpellë e errët
Shpirt e eshtër…
Ia besove qiellit jetën!
Ti s’munde, miku im i ndjeshëm…
Rende si një dre i vjetër
Shkove te të rrallët…
Na le në mortjen tonë ne, të gjallët!
Ike!!!!
Nga supet të shket manteli i kaltër i kësaj dite,
I prerë që herët për mbretër!
Demir Gjergji ©
...
Dole nga kjo shpellë e errët
Shpirt e eshtër…
Ia besove qiellit jetën!
Ti s’munde, miku im i ndjeshëm…
Rende si një dre i vjetër
Shkove te të rrallët…
Na le në mortjen tonë ne, të gjallët!
Ike!!!!
Nga supet të shket manteli i kaltër i kësaj dite,
I prerë që herët për mbretër!
Demir Gjergji ©
Tuesday, April 24, 2012
Arrati e Dashurise - Percy Bysshe Shelley - Shqiperuar nga ARTUR BALLI
Kur qelqi i llampës copa - copa thyhet,
Drita përmbi pluhur bie dhe vdes-
Kur reja prej erës shpërndahet, shtyhet,
Madhështi e ylberit qiellin e ndes.
Kur telat e lahutës këputen,
S’dëgjohen tingujt e ëmbël, humbin krejt-
Kur fjalët prej buzëve, të dalin, nguten,
Gjuha e dashurisë harrohet shpejt.
Se veç muzika mbijeton dhe shkëlqimi
Por jo llampa dhe as lahut’ e marrë,
Nuk mund jehon’ e zemrës, drithërimi
Të thurë këngë kur shpirti ësht’ i tharë-
Në vënd të këngës , një vaj morti, trishtuar
Si qarje ngjan, e erës mbi gur varri,
Apo si tingull, i dhimbur, i nxirruar
Që kambana përcjell , kur vdes detari.
Në çast që zemra, zemrës i bashkohet,
Dashuria braktis folenë e ngritur;
Më e dobta zemër digjet e shkrumbohet
Që zjarrin e vjetër ta mbajë të ndritur.
O dashuri! Kaq fort, kush e vajtoi
Brishtësinë e gjithshkaje këtu,
Për ty, më delikaten, kush pranoi
Të jetë djep, edhe shtëpi, edhe qivur?
Pasionet e saj të çakërdisin ty
Siç bën stuhia me shpesët në Dhjetor
Arsyeja të përqesh e tallet me ty
Ashtu siç bën dielli mbi qiellin dimëror.
Nga çerdhja jote, çdo mur do të bjerë
Dhe ajo, që dikur, fole shqiponje ish
Për turp e për qeshje, zhveshur do të lerë
Kur erërat e ftohta të hyjnë në mish.
ALL RIGHTS RESERVED
Subscribe to:
Posts (Atom)
