Sunday, September 23, 2012

Lule për sevda - Nga: Arjan Bejko ©


Thonë se vetmia të zymton, të plogështon dhe të bën si një dru të pandjeshëm. Ndoshta ka diçka të vërtetë në atë që thuhet, por ka edhe raste kur vetmia të bën të qeshur, të gjallë dhe të dashur.
I vemuar jetonte edhe Filipi, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, trupvogël e flokbardhë, por ai kishte një fytyrë të qeshur, të hijeshuar me një vështrim të gjallë dhe ëndërrimtar. Drita

e syve të tij kishte një rrezatim të ngrohtë dhe dashamirës, krejt të ndryshim nga ai zjarri i kuq metalik i syve të skuqur nga kënaqësia e rritjes së fitimit dhe shtimit të pronave.
Zemra dhe mendja e Filipit ishte e re, sepse ai dashuronte me zjarr, si të rinjtë dhe të rejat e dikurshme me ato zemra të kuqe si llava e vullkanit.
Filipi dashuronte trëndafilat dhe karajfilat e kopështit të tij. Ai kujdesej për to si t'i kishte fëmijët e tij; i vadiste, iu hiqte barërat e këqia, i krasiste dhe iu ledhatonte petalet.
Ai ishte krenar për lulet e tija dhe bisedonte me to, sepse ai e kuptonte gjuhën e luleve, si prindi që i kupton fëmijët, pa qenë nevoja që ata të hapin gojën.
-Lulet janë krijesa të dlira, të pastra si mren edhe jasht!Ata nuk janë si disa njerz, që ngjasin me tubat e shporetit(sobës), jashtë të bardhë si biluri(porcelan kinez) dhe mren si bloza e qymyrit! - krenohej Filipi me lulet.
Filipi nuk ishte poet, por dashuria e kishte bërë të tillë. Ai iu ka kushtuar luleve këtë katër-vargsh të mrekullueshëm, që i ka dalë nga shpirti:
Kush lules nuk ia din kimetin
E në kopsht' nuk don me pas
T'marr konopin(litarin) me vjerr vedin
Se nuk asht niri(njeri), pa asht shtaz!
Lulet e tij rriteshin me aq kujdes e dashuri, sa edhe lulet e kopështit botanik të kryeqytetit bëheshin xheloze, kur dëgjonin se trëndafilat dhe karajfilat e Filipit nga Shkodra nuk gjendeshin askund tjetër në dynja.
Lulet e Filipit ishin jo vetëm të bukura si lule parajse, por ato ishin lule që sillnin fat në dashuri. Shkodranët mburreshin me lulet e Filipit dhe i quanin "lule për sevda". Kush i dhuronte të adhuruarës së zemrës një lule nga kopështi i Filipit, rrallë qëllonte të ishte i pafat në dashuri. Kur djelmoshat dashuronin nga thellësia e zemrës, suksesi ishte i sigurtë. Kur dashuria ishte e rreme lulet nuk sillnin fat, sepse ato lule ishin si të gjalla. Në dorën e djemve të dashuruar kokë e këmbë ato merrnin një nur të veçantë dhe ndrinin si margaritarë. Në dorën e gjahtarëve të fustaneve ato vyshkeshin dhe bëheshin si lule të thara herbariumi, nga ato që i qepnim në mësimin e botanikës, nëpër fletore të trasha vizatimi.
Filipi i kishte mësuar lulet të jetonin me dashuri, t'i shërbenin dashurisë dhe të vdisnin për dashurinë.
-Jeta dhe vdekja e lules duhet të kenë një kuptim!- thoshte Filipi.
A ka gja ma t'bukur për nji lule se sa me dek si lajmtare e dashnisë? Zoti nuk i ka ba lulet me mush plancin, se për njat pun jan kartollat(patatet). Lulet jan kriju me zbut shpirtin e nirit.
Sa inat i vinte Filipit kur dikush ia këpuste lulet tinëz, sepse ai nuk e dinte ku kishte përfunduar ajo lule, e rritun për dashni e jo për hajni(vjedhje).
Djemt e vajzat e dashuruar e donin fort Filipin dhe lulet e tij, sepse martesat me dashni, ku lulet e Filipit kishin qenë lajmset, ishin martesa të lumtura e me begati.
Një ditë kur Filipi shkoi në kopësht, me iu qit pak ujë luleve buzëthara, vuri re se ato ishin kryevarura e të trishtuara.
Me sytë e shqetësuara ai i pyeti, se çfarë kishin të voglat dhe të bukurat e tija.
Lulet vetëm psherëtinin dhe nuk flisnin, për mos me e mërzitë Filipin.
Pas pak trokiti dora e hekurt te dera e oborrit. Filipi u shtang kur e çeli portën e madhe të oborrit.
Para tij ishin disa burra me uniformë kaki dhe me një makinë BÇ po ngjyrë kaki.
Pa thënë as mirdita, një burrë me kapele e kokë voluminoze sqaroi:
-Vimë me porosi të komitetit qëndror të ppsh-së. Udhëheqësi inë,dielli i Shqipërisë, u shua sot. Lulet e kopështit tënd, si shumë lule të bukura kudo, i ka caktuar partia të bëhen buqeta lamtumire, për udhëheqësin e madh.
Filipi nuk i mbajti dot lotët, të cilët si rruaza inxhish i rrëshqitën mbi këmishën e kaltër.
Burrat kaki filluan të qajnë me lot krokodili, sepse u zunë ngushtë, nga që kujtuan se Filipin e kishte lënë mëndja të qante për udhëheqësin e shuar, që edhe i vdekur kishte sjellë hijet e tija aty, për të vrarë lulet.
-Pse lulet e mia, ato janë të vërteta?- mendonte Filipi vajtues. Pse nuk i hedhin atij buqeta artificile, si lotët e këtyre krokodilëve kaki?
Dikur oficerët pushuan vajin hipokrit dhe u nisën me biçakë në dorë të këpusnin kokat e trëndafilave e karajfilave, që nuk gjendeshin kurkund në dynja.
Sa u habitën kur nuk gjetën asnjë lule për be. Të gjitha lulet ishin shkulur me rrënjë dhe gropat e hapura nxirrnin akoma avull toke.
Në kohën kur vajtojcat me biçak në dorë, po qanin formalisht udhëheqësin, rinia e dashuruar shkodrane, duke rrezikuar burgimin, kishte shkulur lulet, për t'i mbjellë përkohësisht në pyjet e Taraboshit. Ato lule ishin lule për sevda dhe jo për kurora diktatorësh.